19 Maj, 2022 - 8:30 pm
Poezi nga Arbër Selmani
Albana jetoi tri javë
por me kaq mbaroi fluturimi i saj
u copëtua
dikush gjykoi që ajo të mos jetonte
të mos lindte
të perëndonte.
Albana sot do të ishte e rritur, nënë
e dashuruar në poezinë franceze
njohëse e gjuhës së shenjave
shtatlartë, e zjarrtë, tmerrësisht e ngarkuar.
Ndoshta,
sa shumë ndoshta që nuk u definuan kurrë.
Albana jetoi tri javë
për të na thyer zemrat treqind vjet vetmie.
Albanës i dhanë kohë qesharake prej tri javësh
të gatuante, të vishej vet, të punonte në oborr
të shkruante një roman, të fitonte çdo garë këndimi
të mësonte psalme, të dashuronte me epsh
të dëshmohej, të tregohej
nuk mundi, dhe nuk jetoi
kështu vendosi gjykata vrastare e foshnjeve.
Albana sot do të ishte 40 vjeç
me palltot deri pak poshtë gjunjëve
me dhëmbë të bardhë, me fytyrë të pastër prej vajit të kokosit
e detajshme, e dehur prej klimaksit
ndoshta do ta bënte mamografinë.
Ndoshta,
këto ndoshta të bejnë të rrotullohesh në shtratin e të pamundurave.
Albanës, zanat, ia dhanë 21 ditë afat
të forcohej, të dilte në sheshin e qytetit
të bëhej presidente e shtetit
të shtegëtonte, të luante në violinë
ta thyente të keqen me mirësi.
Nuk ka shumë orë dita e një foshnjeje që vdes.
Me Albanin ishte ndryshe
Albani e pati shumë ftohtë
ishin tjera temperatura në motin kur ai lindi
ia lejuan veç disa frymëmarrje
syçkat e tij të skuqura numëruan katrorët e tavanit të spitalit
mbështjellur me çarshaf të bardhë
e me fat të përlyer zi.
Albani jetoi pak orë
nuk arriti të bëhej dikushi
nuk u bë as ëndërrimtar, as furrtar
as nuk shkoi kurrë në çerdhe fëmijësh
e këshilluan të provonte zanatin e mjekut
nuk kishte hapësirë, e pamundur.
Pa u bërë as njeri, e as flutur
Albani dha shpirt, me shpirt të këputur.
Albani sot mund të ishte roje burgu
trupmadh, plot rrudha
kurrë i dhënë pas alkoholit e cigareve
eliptik,
i rrasur thellë në oqeanin e të bëmave të mira
shpirt i huaj,
i vendosur si piktura më e bukur në çdo dhomë shtëpie.
Ky Alban sot do të ishte mashkull vigan
në kërkim të dashurisë, a pasurisë, a lumturisë
por në pak orë, i thanë të ngjiste malin më të rrëpirë
të bëhej mjek popullor
ja shkëputën kontratën e jetës, nuk mundi, e pati vështirë.
Një mal me detyra për Albanin
por u shua, si qumësht u vlua,
as gjykatës nuk mundi të paguante
botës nuk i plas për një foshnje më pak
njerëz të tmerrshëm do të lindin, do jetojnë përhera,
nëna natyrë është e zënë me halle tjera
e Albani pret ende t’i vijë pranvera.
Nënës i vdiqën dy fëmijët e parë
ata nuk janë në asnjë fotografi
janë dy numra inkubatorësh, pa asnjë sy
janë veç në këtë poezi
që po e shkruaj afër një shtëpie shëndeti
ku një bebe tjetër do të jetojë pak orë
dhe kaq,
pos nënës që e lindi,
nuk do të kujtohet më kurrë. / KultPlus.com