24 Maj, 2020 - 6:00 pm
Nga: Bob Dylan
Shqipëroi: Bujar Meholli
Nëse s’do të kishe qenë ti,
vogëlushja ime, derën s’do e gjeja,
madje as dyshemenë dot s’do e dalloja,
nga ndjenjat e trishta dhe mërzia
do të kaplohesha,
nëse s’do të kishe qenë ti.
E dashur, natën gjumë s’do të bëja,
do të rrija duke pritur agimin të zbardhte
e të ndriçonte gjithçka tej e tej,
por kjo s’do të ishte asgjë e re
nëse s’do të kishe qenë ti.
I gjithë qielli mbi kokën time do të binte
dhe retë e mbushura do të lëshonin rrebesh,
pa dashurinë tënde askund s’do të isha,
si një i humbur do të sorollatesha,
kjo është e vërtetë dhe ti e di.
Ah! A thua vallë çfarë do të bëja
nëse s’do të kishe qenë ti?
Pranvera pas dimrit s’do të vinte
nëse s’do të kishe qenë ti,
as cicërima e trumcakut s’do të dëgjohej
e unë toruan fare do ta humbisja,
nëse s’do të kishe qenë ti…
1970 /KultPlus.com