31 Korrik, 2023 - 11:00 pm
Arbër Selmani
Nesër, Carlo do të niset për në Afrikë
përfundimisht, e ka ndarë mendjen, është ndarë edhe prej
meje
një shoqe më tha se kjo është vdekje shoqërore
se lotët e mi janë të vlefshëm, të logjikshëm
se kjo verë do ta ketë këtë trajektore: e trishtë, e mërzitur,
terapeutike.
Nesër, Carlo do të niset për në Afrikë
më nuk do të darkojmë në restaurantet e këtij qyteti
nuk do ta kem një të shtunë të qetë sa të shtunat me të
edhe orët e notimit zgjasin më pak, pa shtendosje
kartela e tij e regjistrimit do të laget veç prej ankthit tim
mendimet e mia janë të thyera aq sa edhe shpirti.
Nesër, Carlo do të niset për në Afrikë
as fytyrën e tij se mbaj mend më, me a pa qëllim
edhe kjo poezi është e dobët, foshnjore, e paaftë, e
sëmurë
se e kam ngrënë veten përbrenda tash e 60 ditë për atë
njeri
e preka sot ulësen afër shoferit, mungon dora e tij.
Nesër, Carlo do të niset për në Afrikë
i thashë të dua, i thashë ‘situata është qesharake’,
incizova zërin e tij në telefon, fshehurazi, që vajtimi im të
ketë një shkas
i preka flokët e tij për të fundit herë
dhe u lëshova shkallëve si kafsha që do të sakrifikohet
qava siç qahet kur dashuria prehet si me sëpatë./ KultPlus.com