30 Qershor, 2018 - 6:30 pm
Poezi e shkruar nga Alketa Spahiu.
Sa netë pritjesh kanë njohur
korsetet e tregjeve Flea
korsetet e zeza, te kaltëra, me lule,
me rrjeta, me dantella, me mëndafsh
lidhëset e tyre shtrëngojnë pamëshirshëm syrin,
dijnë përmendësh anatominë e abdomenit,
kompozicionin e shpirtit,
në glob kanë skicuar déjà vu-në e vajzërisë
ofshamat i rimodeluan në “ave Maria” të aurorës së pagjumë.
Takat e kuqe të tangos së ripërteritjes
kanë vallëzuar me shpërfilljen, njëanësinë,
këmbënguljen, përshpirtërsinë,
takat e kuqe me dy rripa te hollë
që shtrëngojnë kyçet si mungesa zemrën,
takat e kuqe që kanë shkelur kalldrëmet e profecisë së Kasandrës,
takat e takimit të parë i mbetur në tentativë.
Hefaest, kërko ndihmën e porotës laike,
të mblidhen në agoren e ndjeshmërisë,
kam të drejtën e zjarrit të arkave
të kapilarëve plot lotë,
kur shoh arrogancën tek vallëzon bachata me poshtërimin,
me mashtrimin,
korsetet e zeza, te kaltëra, me lule
të tregjeve Flea
ngjyrë gri le të marrin
për të gjitha pritjet që njohën,
takat e kuqe le të vallëzojnë në mesin e drunjëve te skuqur
le të shkopsitet nepsi
për takimin e parë të munguar
dhe valsin që u vallëzua solo.