N’gaz m’shkonte jeta, s’m’epej kurrë m’u ankue

19 Shkurt, 2022 - 6:34 pm

Poezi nga Luigj Gurakuqi

Qëndresa

Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne.

Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz m’shkonte jeta, s’m’epej kurrë m’u ankue,
Kurrë zemra s’m’ndjellte zi.

Andrra t’kandshme m’livrjoshin nëpër mend
Si flutra pa ja da!
T’lum si vedin nuk njifshe tjetërkend,
Nuk dijshe kurr me kja.

Zanat tek unë shpesh zdrypshin e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
Ia thojshe kangës me gzim.

Shum herë te bregu i prroni mbulue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisshin nymfat me flokë arit,
E mblidheshin kunorë.

Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë u shtrijshe, e t’eshëm bukurije,
Sytë sillshe rreth e rreth.

Rjedha e ujit përcillë me fyell t’barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin, un’ ndejë në prehën t’gjithsisë
Nisshe ngapak m’u kotë.

Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mi tue luejtë
Shkonte; vetë flejshe… Engjujt, pa ba zhurmë,
Zhdrypshin nën krahë me m’ruejtë!

Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmnore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukra, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.

Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarmi i bam’ me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ai qi nuk qindron./ KultPlus.com

Të ngjajshme