‘Një cigare kishim, kush ta ndezë më parë’

11 Qershor, 2022 - 10:45 pm

Poezi nga Fadil Kraja

Cigarja

Njëzet vetë ne ishim
Njëzet vetë ushtarë.
Një cigare kishim
Kush ta ndezë më parë.

Dielli na përvlonte
Etja na kish tharë,
Nga cigarja nuk doshim
Asnjëri me u nda.

Me një zë vendosëm
t’hedhim lotari,
kjo nuk është përrallë,
mos ju vijë çudi!

Ai që do të shkruante
Emrin më madhështor,
Atij do t’i lëshonim
Cigaren në dorë.

Ramë të gjithë në mendime
S’ishte fort e lehtë,
Emrin më madhështor
Cili kish me e gjet?

Mua m’qeshi fytyra
Gjeta emrin “Nanë”,
Mendova, cigaren
Mua do ma lanë!

U lexuan letrat
Nuk kisha fitu,
Sepse 18-të
“Nanë” kishin shkru!

Vrejtëm njëri-tjetrin
Fytyrat shprehnin mall,
E ndezëm cigaren
E thithëm me radhë.

Dielli s’na përvlonte
Etjen lan një nanë
Zemrat na i galtonte
Emri i dashtun, “Nanë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme