20 Shtator, 2017 - 1:11 pm
Poezi e shkruar nga Ndue Ukaj.
Lajmet e fundit fillojnë si përrallat e bukura:
Na ishte njëherë shpresa dhe qyteti i gëzuar.
Tani ka tym, mjegull e gurë pikëllimi.
Njerëzit shëtisin të hutuar.
Pinë kafe bashkë me fantazma
Dhe rrëfehen para tyre si Konstandini kur e sillte Doruntinën te ëma.
Nëpër rrugët e ngushta mendimet janë të ngushta
Dhe marrin n’ thua edhe ata që sytë i bëjnë katër.
Na ishte njëherë një kohë kur lirinë e prisnim nga lajmet.
Tash lajmet na dëftojnë hijet që kukurisin dhe njollosin lirinë.
Përtej horizontit në malet e thepisura
Shihet dëborë dhe një dimër i acartë pa fund.
Oh! Në një ditë vjeshte si kjo,
Me lirinë e tepruar të imagjinatës
Shoh gra të bukura që luajnë me gjethe vjeshte.
Dhe matanë ekraneve një çetë politikanësh
Si bëjnë plane të mjegullta.
Një ditë vjeshte si kjo:
Njerëz pa skrupuj shëtisin rrugëve të boshatisura
Ata kanë abortuar lirinë
Dhe shfaqen çdo mbrëmje në ekranet tona të mëdha.
Na dëftojnë si formohet mbretëria e marrëzisë
Para syve që s’shohin gjë nga mjegulla.
Një ditë vjeshte në fund
Ndala orën dhe nëpërmjet dritares
Pashë silueta njerëzish të mërzitur
Një qytet të mërzitur
Gra të mërzitura
Fëmijë të mërzitur
Dhe një grusht politikanësh të lumtur.
( Ndue Ukaj, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017, ©)