13 Gusht, 2022 - 3:00 pm
SONET nga Eqrem Çabej
Kur shkon sokakut si një sut’ e vratë,
Me sy përdhe e me të rëndë hie,
Ndihem gjahtar që me shtigjetë bie,
Zëmra me mblidhet dhëmbjes në gujatë.
Pa rri mendohem tek e rënda natë:
Si do të shkosh ti jetë vetëmie?
Më ç’lis do mbahesh, degëzë erdhie?
Do mund të ecësh kësaj rrugës gjatë?
Tani që ëndrra e një jete ra,
Na ra përdhe gjith’ ajo hie e parë:
Të qënët bashkë, një e të pandarë;
Ditët e bardha edhe nett e arta,
Kodra jonë me selvi të larta.
Një fat na lidhi e një fat na la./KultPlus.com