Një fëmijë i vogël me vdekje të madhe

27 Shtator, 2023 - 11:08 am


Nga Naxhije Gashani

Një fëmijë i vogël me vdekje të madhe
(Valmir Deliut)

Ishte aq i vogël e vdekja aq e madhe
Një trohë fëmije të bëhej fli lirie
Pa ditur e pa ëndërruar se ç’është ajo

Ishte aq i vogël e plaga aq e madhe
Një fëmijë i strukur gjoksit të nënës së tij
I pangopur me jetën pa e jetuar atë

Ishte aq i vogël e dhimbja aq e madhe
Zëri i tij u ndi larg brigjeve të etura
Mbi qiellin e Tokës së tij valonin re gri

*
Njëzet e pesë vjeshta mbi ty Valmir

S’e di në u kthyen shirat në lot
O lotët në shira nga ai mot

E di se e kthjellët u shfaq dhimbja

E pashë të gjallë tek gërvishte
një nga një koret e plagëve të mia

Liria erdhi pa të njohur ty
As ti atë

Valmir,

A e di se sa herë i marrë erë
ajo m’i thyen krahët
e me krahë të thyer
s’mund të të përqafoj as ëndrrash

Valmir,

Që atëherë
çdo fëmijë dy vjeçar
fytyrën tënde gravuar shpirtin
tim e ka

Gazetat botojnë trupin tënd
E bëjnë ta shohin ata
Që nuk u mbijnë dhimbje
Shpirtit

Dikush tha se je i shtrirë
Nuk e di
Unë kurrë nuk munda
të të shoh në fytyrë
Ndryshe do më shpërthente
plaga
e copë e grimë
do të më bënte zemrën
atë zemër ku të ruaj ty
gjallë
jo dërrasë e ndanë varr

Valmir,

Sikur liria të merrte frymë lirshëm
E ty të bartte krahësh lule me lule
Ashtu ndofta nuk do të mbije
si luleloti çdo pranverë në mua

V A L M I R.

*Më 26 shtator 1998, këmbësoria e forcave të armatosura serbe hyri në Abri të Epërme dhe masakroi 23 anëtarë të familjes Deliu. Atë ditë u masakrua edhe Mihanja, që më 25 shtator kishte pasur ditëlindjen e 28-të. Atë e vranë, në krah me të birin Valmirin, që kishte biberonin e varur në qafë. Më 21 shtator, Valmiri kishte mbushur dy vjet. Në këtë përvjetor të vdekjes së tyre, Naxhije Gashani (tezja e Valmirit) ka dërguar në redaksinë e KultPlus dy poezi kushtuar nipit të saj, dhimbja për të cilin vazhdon të jetë e freskët për të dhe familjen e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme