Një natë nga netët pa gjumë

15 Nëntor, 2021 - 1:51 pm

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja.

Zgjohu Kosovë! Zgjohu nana ime e dashur,
balli dhe emni im i shkelur,
zgjohu,oj! A po e ndien vajin tim?

A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër, mu në shpirt,
si t`i kam hedhë duart rreth belit
me të përqafu unë, ashti yt?

Zgjohu,Kosovë!
Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë vatër kush po e le?

Ç’janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tënde,
këto varre e murana që po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?…

Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…

Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s’po më troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..

Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pëlcitur.
Bota në ty le të kallet!/KultPlus.com

Të ngjajshme