18 Janar, 2021 - 6:25 pm
Poezi nga Zhak Prever:
Barbara
Mban mend Barbara
Atë ditë në Brest binte shi pa pra
Ti ecje e buzëqeshur
E gëzuar e ndritur e qullur
Nëpër shi
Mban mend Barbara
Në Brest binte shi pa pra
Të takova në rrugën e Siamit
Ti qeshje
Qeshja dhe unë
Mban mend Barbara
Ti që s’të njihja jo
Ti që s’më njihje jo
Kujtoje atë ditë
Një njeri te porta strehohej
Dhe thoshte emrin tënd
Barbara
Ti vrapove kah ai nëpër shi
Dhe iu hodhe në përqafim
Kujtoje këtë Barbara
Nëse të them ti mos u hidhëro
Se ti i them çdokujt që e dua
Çka që s’e kam parë kurrë më parë
Mban mend Barbara
Mos harro
Atë shi të ëmbël dhe fatlum
Mbi fytyrën tënde fatlume
Mbi atë qytet fatlum
Atë shi mbi det
Mbi arsenal
Mbi anijen nga Usani
Oh Barbara
Lufta ç’marri
Ç’u bë me ty tani
Në këtë shi hekuri
Zjarri gjaku e çeliku
E ai që t’shtrëngonte n’krahëror
Mallshëm
Ka vdekur ka humbur apo ende gjallon
Oh Barbara
Në Brest bie shi pa pra
Siç binte dikur
Por nuk është njësoj
Se çdo gjë është e shkretë
Shi dhembjesh të tmerrshme hata
Oh jo dhe rrebesh
Hekuri e çeliku gjaku
Vjen nga retë
Që treten si qentë
Që humbin
Në rrjedhën e përroskës në Brest
Venë të kalben diku
Larg shumë larg nga Bresti
Nga i cili s’mbeti gjë.
Perktheu: Rexhep Ismajli. / KultPlus.com