6 Mars, 2020 - 6:35 pm
Poezi nga Ismail Kadare
Duke të puthur, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi
Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata
Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.
Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pastaj me bërryl i bien shokut
“E sheh filanen? E ka pas…”
Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T’arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”
Të dyja t’ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigare
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t’marrë
Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M’e gjerë, m’e bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s’do të të venë re.
Atje ku t’ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t’i bjerë shokut:
“E sheh filanen? Ishim miq…” / KultPlus.com