26 Gusht, 2022 - 5:04 pm
Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.
Duke të puthur ty, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz ai shkoi
Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.
Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.
Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
“E sheh filanen? E kam pas…”
Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T’arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”
Të dyja t’ulura pranë radios
Do ta ndizni një cigar
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t’marre
Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M’e gjerë, m’e bukur dhe m’e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s’do të të venë re.
Atje ku t’ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t’i bjerë shokut:
“E sheh filanen? Ishim miq…”/ KultPlus.com