Njerëz pa rrënjë

7 Korrik, 2021 - 10:30 am

Petrit Ruka

Gjithmonë e më shumë shtohen njerëzit pa rrënjë,
ata që nuk kanë më
një shtëpi të tyre.
I marrin me qira të gjitha… dhe ëndrrat,
i rrëmojnë e i shkulin në libra psikologjie.


Pa rrënjë tani ngjajnë me pemët e shkulura,
tek varret e prindërve shkojnë rrallë e më rrallë,
xhezven e nënës së vdekur e kanë hedhur
kafen e pinë rrugëve
në këmbë si kuaj.


Nuk kanë miq shtëpie, i çojnë në hotele
aty u shtrohet fjetja, buka dhe vera,
me qira, me kredi të gjitha,
të gjitha
dhe emrat e dytë, kombësitë e tjera.


Babai i vdekur drejt e nga spitali
me qira tek “Funerali”
fle natën e fundit,
dhe vajzat e tij mbajnë syze të errëta
të mos iu shkrijë nga lotët lapsi i plumbit…


Me qira sot fytyrat, një tjetër dhe një tjetër
ndërrojnë lëkurën si gjarpri
në klinika të shtrenjta,
ndër romane i huajnë fëmijëritë që nuk patën
kujtimet e florinjta, mallet e argjendta.


Mëmësinë mund ta blesh me para në një bankë
mbjell në bark një bebe
pa baba e pa gjyshe,
gjithmonë e më shumë takoj njerëz pa rrënjë,
(dhe oh sa më dhemb kjo bota “Ndryshe”.)/ KultPlus.com

Të ngjajshme