22 Korrik, 2022 - 10:45 pm
Poezi nga Evgenij Evtushenko
Ҫ’turp për njeriun e vetëm,
që pa një mik,
pa një mike,
pa grua,
shkon te kinemtografët,
ku gjithmonë projektimet zgjasin kaq pak,
dhe kaq të gjata janë intervale!
Ҫ’turp për njeriun që në luftën e tij të fshehtë
të nervave
kundër përҫmimeve e çifteve, në holl,
strehohet në një qoshe
për të përtypur një ushqim duke u skuqur
si për një mëkat.
Më në fund, turpin,
Ankthin
Na mbledh në kompani të çuditshme,
për shërbëtorë miqësish të padobishme
që na ndjek deri në varr.
Grupet formohen pa arsye :
në disa grupe pihet, pihet, pihet,
ne nuk japim dorëheqje për të gjykuar veten;
në disa grupe të tjera merren problemet e rrobave dhe vajzave,
në disa grupe të tjera flitet për çështjet ideologjike –
në dukje –
por po t’i shohësh mirë
kanë të gjithë të njëjtën fytyrë …
një mijë fytyrat e kotësisë!
Herë në këtë, herë në kompaninë e zhurmshme …
M’u shkrinë shumë herë –
s’do të dija t’i llogarisja,
tani në një kurth të ri u mbeta i kapur,
por u lirova,
lashë atje vetëm pak
flokë!
Prej tij shpëtova?
Ti përpara meje,
bosh
i lirë,
dreqi e di për çfarë duhesh!
Më pëlqen, liria.
Por edhe, si një grua
disamata e besnike
më erdhe
vajzë.
Dhe ti, e dashur,
si ia çon?
U lirove edhe ti nga kotësia?
Të kujt janë tani sytë e tu të bukur bajame
dhe shpatullat shumë të bardha, luksoze?
Janë kaq pak vitet që nga ajo mbledhje,
dhe tani –
sa e neveritshme!
Çfarë turpi,
e dashur,
çfarë turpi!
Sigurisht, ti mendon se unë hakmerrem,
dhe se tani po vrapoj me taxi për ndonjë aventurë të re,
por edhe po në qoftë kështu, ku
do duhet të ndalojë taksisti?
Sepse çdo gjë është e kotë, ti shih,
kotë
është e pamundur që unë të shpëtoj nga ti.
Me mua gratë
tërhiqen në vetëvete,
tani e ndjejnë
që jam aq i huaj sa s’ka!
Mbi gjunjët e tyre vë kokën:
jo atyre –
por ty të përkas unë.
Por ja këtu është. Dëgjo: një ditë
vajta në një shtëpi të mjerë të Rrugës Senaja.
Ne varësen me brirë të varfër
unë vara kapotën.
Në dhomë ndodhej një bredh skiç në dhomë, ndriçuar nga flakë llambushkash,
rrinte ulur pranë një gruaje, këpucët e saj të bardha farfuriin:
e rreptë dhe e ngrysur në fytyrë – si një vajzë.
Kishte qenë krejt kaq e lehtë – ftesa
dhe leja
Për të ardhur – që shumë
e sigurt për mua dhe me shumë
paturpësi moderne,
nuk i solla ca lule, por ca verë;
pastaj doli, siç thuhet,
pak më
komlese
Gruaja heshte,
i shkëlqenin bulët e veshëve
dy pika transparente –
dy palë vathë
jetimë.
Si e sëmurë,
duke më kërkuar me sy të pasigurtë,
duke ngritur paksa trupin e saj të dobët,
tha me zë të shrdhët:
«Largohu …
S’ka nevojë …
E shoh: ti nuk je imi,
i përket asaj … »
Njëherë sapo ra në dashuri me një vajzë,
me një thekë të shpërbërë mbi ballin e tij,
me mënyrat e një fëmije, të egra,
dhe sy akulli,
i zbehtë prej frikës
dhe pikëllimit.
Ishim në Krime.
Një natë zuri një stuhi,
dhe fëmija
në magnezin e vetëtimave
më thoshte nën zë:
«Fëmija im?
Fëmija im?»
dhe më mbuloi sytë me pëllambën e dorës.
Çdo gjë përreth ishte e tmerrshme dhe solemne:
dhe bubullima
dhe gulçimi shurdh-memec i detit –
dhe ajo pati një intuitë të papritur gruaje:
dhe më bërtiti:
«Ti nuk je imi,
nuk je imi!»
Lamtumirë, e dashura ime!
Unë jam yti,
zymtësisht,
besnikërish,
e kush është vetëm, është më besnik se të gjithë.
Nga buzët e mia nuk mund të tretet në përjetësi
dëbora e lamtumirës e dorashkës tënde të vogël.
Në sajë të grave,
në sajë të të gjitha grave
të bukura dhe të pabesa,
sepse e gjithë kjo zgjati një moment,
sepse lamtumira e tyre
nuk është një mirupafshim,
sepse në falsitetin e tyre të plotë krenari sovrane,
na japin vuajtje të shijshme
dhe frutat e shkëlqyera të vetmisë.
Shqipëroi: Faslli Haliti./ KultPlus.com