3 Nëntor, 2023 - 9:01 pm
Plator Gashi
nji ditë, tu’ u kujtue qi çdo gjaje i vjen fundi,
u tranda.
pastaj edhe kësaj së kujtueme i erdh fundi,
po disi s’u tranda asnjifije.
kështu pra nisa me u bindë, qi fundi mbase s’asht i lig.
e si mund të jetë e ligë nji sajesë poetike,
e rrasun thellë në makinën interpretuese të botës,
që ka për burim argumentin e xhamtë se lindja asht fillim
e vdekja fund?
pyeta pra nji gjethe, si asht me ra prej degës
kur vërshon eterin i ftohti vjeshtor:
“Pa më këqyr, si zverdhem e kuqërremem për bukuri! A ke pa
ndonjiherë gja ma të hijshme? Shih si spërdridhem
e si më përkund era andej-këndej! Pastaj prehem nji grimë
në tokë me bashkëgjethet e tjera — si det kërcellitës bojëzjermi. Në pranverë bahem tokë… po a s’e pe
sa mirë kërceva? Pyete njiherë Jacques Prévert!”
pyeta pastaj ujin, si asht me jetue nji jetë mërguese —
përherë me i ikë burimit e në fund me mbaru
në gjellën ujore të oqeanit:
“Unë baj punën qi s’e ban as çekani — i çaj malet! Rrugës la ndonji pikë djerse a loti, për me i ushqy farat qi bahen pyje, pra edhe unë bahem pyll! Herë-herë vijnë dhelpna e kaprolli e pijnë pak prej meje, pastaj bahem dhelpën, kaproll, ujk,
lepur e dosëbalë! Në oqean pastaj çlirohem nga burimi, nga rruga e nga mundi — grimcat e mia s’dallohen ma prej të fqinjit!
Kur të bahem shi ndoshta kthehem pak në shpi… po ma s’ka
randësi kjo punë! A e pe sa bukur rrodha? Pyete njiherë Tom Jobim!”
në fund pyeta njeriun, si asht me vdekë:
dhe nuk foli, po vetëm u trand.
Si asht kur mbaron dita?
Dhe vetëm u trand.
Si asht kur ikën njeriu tjetër?
Dhe vetëm u trand.
Kush e rrejti kusherinin e largët të gjethes
e të ujit
se kalimi asht shkak për trandje?
Kush e rrejti, kur kalimi asht ma i njimendtë
se çdo fillim e çdo fund?
Fillimi e fundi janë thjesht kalime të krekosuna,
që kumbojnë “e imja” dhe “e jotja”
si gramafon i prishun,
që rropaten me nda tapi imagjinare
në eter, tu’ kujtue se asht marifet
me i dhanë emën të paemnueshmes.
tekembrama, çka i takon gjethes
pos nji ndërrimi ngjyrash
e nji valleje ymërshkurtë?
tekembrama, çka i takon ujit,
pos kujtimit të shtegtimit
dhe ngazëllimit
që nji hise të djerrë
e bani të blertë? /KultPlus.com