28 Janar, 2020 - 3:15 pm
Poezi nga Gjergj Fishta
N’atë rrahe t’dekne mbrenda vorrit t’errshem
Tash pluhën jé. Ata dy sŷ t’janë errun,
Ku qiella prirej me sá hana e diella
Terthores s’eper m’sharte vrejn t’njerzimit!
T’janë sosun fjalët e ambla e plot urtí,
E ai zâ t’âsht kputë, i cilli bite m’zemër
Si kumbë liret t’tingllueshme, qi prej s’largut
Ndihet tue rá, kur dora e prekë e msueme!
Ehu! po; “deka, qi baras m’derë t’pellazvet
Trakllon, si m’trinë t’kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë buken, tý edhe ajo ke dera
T’traklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kur dielli vjen me shndritun
Mbi kobe t’dheut.
Sot përmbi vorr t’kanë bijtun
Hithat e madergona! ’I kryq dullijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë t’a vu te kryeni,
Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’a zbutë, posë va’it t’trishtueshem
Të hutit t’natës, qi neper curra t’malit
Dhimbshem në rreze t’hanës rrin tue gjimue! . . .
Njai grumbull gursh, qi m’vorr t’randon përsypri,
Vetë gjaksorit t’pashpirt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n’hikë kah t’bjen nget vorrit,
Edhe t’përqethët atë botë i shkon n’për zęmer.
Po, a thue, krejt deka n’asgjâsend t’përpîni
E, posë se do kocijsh edhč ’i grusht pluhen,
Nuk t’la tjeter? Jo! N’pręhen t’Amëshuemit
Pjesa ma e mira e jotja ka flutrue
Me gzue n’dritë t’qiellvet, ku pushon dishiri
I nierit t’drejtë, si drita m’sŷ kthiellun.
Po, po, se përtej vorrin shpirti i nierit
Gjallon per jetë! Njeky mendim i ambël
Deken e zbutë e vorrin bân t’pelqyeshem,
Kúr zęmren fa’i s’e grisë. Prej ktij mendimi
As vetë per tý s’lotova shum, kúr ndjeva
Se diqe: se n’mâ t’miren lule t’motit
E lae ti ketë shkretí, ku shuen e Drejta
E Paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’vese sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta t’zí, e selija
M’rrashta t’përgjakshme t’njerzvet m’kambë, ku mbahet.
Ehu? po, se shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kúr bora dęhet, s’mujt me e bajtë qelbsinen
E randë t’ktij sheklli t’zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin
N’themel e dridhë veç me ’i vetimë t’qerpikut:
Amshon n’lumni shka Atij t’i ket përgjá.
S’kje toka, jo, për ty kje qiella!
E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,
Ti, kushedi, n’per vrrije t’amëshueme
Shkon tue kërkue për lila e drandofille,
Qi s’dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,
Për me u lulzue mandej ndër t’zjarrtat valle,
Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,
Kndon Zotit lavde n’për ylbera t’qiellit:
A, marrë krejt n’t’pám t’s’hyjnueshmes faqe t’Zotit,
Porsi m’pasqyrë t’kulluet skjyrton shestimin
E rruzullimit, vu prej s’eprës Mende,
E cilla n’t’kenun sendet thirri t’tâna
Prej hijevet t’kthellueshme t’asgjâsendit,
Kur bâni Ajo furín me heshtë t’thellimit,
E me ’i fuqi t’pamatne prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n’t’skajshmet megje
T’ktij sheklli ndihet mnershëm tue gjimue,
Kah për ledhe plandoset t’rruzullimit,
E atŷ, n’atë dritë plot ambelcim dashtnijet,
Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’Dritvet
Gjithkah dikohet neper verë t’Parrizit,
Shpirtent e lum krejt m’rreze tu’ i pershi,
T’kthiellta ti i prirë t’vërtetat, t’cillat Hyji
Desht t’muzta nierit ma ia lânun t’shkrueme
Nder fletët t’hyjnueshme t’t’amëshuem Ungjillit.
Oh! sá e sá herë, kur n’mbrame shuen natyra,
E tjetër s’ndihet, veç se rryma e prronit,
Qi përmallshem gurgllon n’per rrajë e curra,
Un, lodhë mbi letra t’t’dijshemvet t’kahmotit,
Mbas t’cillvet fjalën rrij tue lmue shqyptare,
Dal në dritsore me kundrue shatorren!
Qi i Lumi t’kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi, thue, se njaq sŷ Zotit
Flakojn mbi dhé — kushdi, për me felgrue
Nierin, qi egrue mâ fort prej mnerës s’territ
Përbluen punë t’mbrapshta: — e atë botë mendoj për ty.
E, ku ta shoh mâ t’flakshmen tue xhixhllue
Nji hýll, atŷ selín’ un’ tham me vedi,
Ti do ta kesh, e sŷt m’atë hýll pa da
I nguli, e m’bâhet si me t’pá. Me emën
Un t’thrras atëbotë n’per terr. Nji váj bylbylit,
Qi përmallshem ndër gemba rrin tue kjá
Fatin e vet, e ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’grishunit; e m’duket
Se bisedoj me ty! . . . Nuk dekka i miri,
Jo kurr; e sidomos nja’, i cili ‘i zęmër
E lęn mbrapa m’e ankue. Prej vorrit t’errshem,
Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambel edhč na nzitë kah punët e mbara,
E n’mende t’onë gjallon. — Kur Aleksandri
Prej Bregut t’Matës ngallnjyes u kap ke vorri,
Ku shuen idhnimi i Prisit t’Mirmidonvet,
Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez atŷ flakë zęmra kah lumnija.
Mbi njatë vorr, po, u betue me ngulë flamurin
N’skâj t’dheut, e prej selís’ me i zhdrypun mbretent;
E atëherë përpara tij tânë bota shuejti.
Mue edhč, qi sheklli e nji dishir lirijet
T’thepisne raven m’ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po, edhč zęmra mbi vorr tand t’përvujtun
M’ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.
Përmbi vorr t’and, po, xâ të fortë me e mbajtun
Besen e dhânme — e miqasín e zânme;
Për Fé e per Atme n’ball me i dalë rrezikut:
Të ligshtit doren me ia njitë e t’fortin
Mos me e gledhue; kur t’jét me u thânë e drejta,
Mos me i shmangë sŷt’ prej cakut, n’t’cillin mendja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Ndër sá t’vishtira, qi t’na sjellin motet.
Po, po! se pre’ atij vorri kam me shkepun
Hovin kah punët e mdhana. Ai kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi t’a zbutë, ai qanderr
Ka me m’kęnë ndër salvimet: Engjlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqít t’i pruen mizore,
Gjumin e dekës në vorr mos me t’turbllue,
Dér qi të shkimen n’qiellë e hâna e dielli
E t’ngele moti e sheklli mbarë t’rroposet,
E t’vije dita e gjyqit t’rruzullimit,
Ai ka për t’m’kęnun Zâna. E atëherë pa u tutun
Zhgjetat e prehta e t’zjarrta kah me i prehun,
Qi kundra vesit do t’ia lshoj njerzimit:
Atë herë un kangët kam me i ndertue kreshnike,
Me t’cillat botës un do t’ia lâ të shkrueme
Se shka viejn armët besnike n’dorë t’Shqyptarit.
E me kangë t’mija ’i përmendar t’madhnueshëm
M’vorr tand kam për t’ndërtue, të cillin moti
Me fletë të ngrita kot ka për t’ a rrahun;
Pse, si curr, qi n’mjes t’detit rreh tallazi,
Edh’ ai njashtu do t’jesë ndër gjire t’motit
Qi bumbullojn mbi faqe t’rruzullimit.
E atë herë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zânat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’vallue, e kanë me rritun
Me shum kujdes per qark selvija t’blerta;
E shtektarit mundqar, qi n’ato hije
Ka me xânë vend, me ndalë pak gjâ t’dihamet,
Kanë me i kallzue se sa pjesë qiellet vrani
Deka n’atë vorr. E atë botë i largë shtektari
Të lehtë dhén ka me t’urue, e t’paqta e t’buta
Shinat e borën: e, kur n’male t’veta
T’dredhojë ke stani, fmís’ ka me i kallzue
Shka ndjeu për tý. E fmija e tij aso bote
Emnin t’ and kanë për t’kndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furít e mnershme,
Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.
Me maje t’briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’njohtne veç e prej barivet:
Kanë me u rritë lisat, përse spata as ręja
S’e prekin landen, ku âsht ravisë aj emen:
E tu’u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kshtu ma t’kjarta mbas disá qindvjetve
Nipat mâ t’vonët kanë me i këndue, e emni
Sa t’bjere dielli tokës ka me t’u kndue.