Nostalgji

26 Qershor, 2020 - 7:30 pm

Poezi nga Agim Doçi.

Më rrodhën lotët nga sytë e shpirtit,
Ky mall i çmendur më torturoi.
Më mirë në kryq, në vend të Krishtit,
Sesa i vetëm, veç të gjalloj.

Ky shpirt i brishtë që preket lehtë,
Nga fjalë e rëndë dhe xhelozia.
Më prishi punë gjithmonë në jetë,
Më bëri sterrë ditët e mia…

Po çfarë kanë njerëzit që egërsohen?
E çfarë kërkojnë më shumë nga unë?
Ata që s’mund të dashurohen,
Përse nuk ikin, por prishin punë?

Më dhemb gjithë trupi, më dhemb gjithçka,
Sa fort më dhemb sot gjoksi im…
Kjo botë e madhe plot vende ka!
Po dhembja ime nuk gjen shërim…

Unë them të iki, t’i lë të gjitha !
Të marr me vehte veç mallin tim.
Ta bëj qivur, të shkoj nga isha,
Atje i vetëm, dhe në harrim…

Pastaj të kthehem pas qindra motesh,
Kur bota ndoshta do ketë ndryshuar.
Të lyp lëmoshë në mes metropolesh,
Si shpirt i brishtë dhe i dashuruar.

Të marr imazhin e asaj që dua,
Të shkoj tek bliri me gjel të egër…
Të vij pas meje, ajo me mua,
Dhe të këndojmë këngën e vjetër…

“Dua të bëhem paksa i krisur,
Dua të bëhem dhe lot tek syt’
Dua të bëhem dhe gjum i prishur,
Dua të bëhem imazhi i yt…”

– Agim Doçi

Të ngjajshme