Nuk besoj të këndojë si unë asnjeri për Kosovën…

17 Shkurt, 2025 - 10:31 pm

Poezi nga Dritëro Agolli

Nuk besoj të këndojë si unë asnjeri për Kosovën në vargje
Dhe s’mendoj të lotojë askush si unë tani për tani,
Unë e njoh Kosovën nga pluhur i zverdhur në pragje,
Unë e gjej Kosovën në pikën e vesës atje në hardhi.

Unë e di si djall dhe lugat çdo gjë në Kosovë,
I di lugët e bujkut, i di stinët kur mbjell e kur korr,
E njoh sërbin dinak me gjarpër në kokë,
Gjarpër që rritën stërgjyshërit e sërbit në oborr.

Unë e di se ç’mendon malësori i Drenicës,
Minatori i Trepçës e di se ç’mendon,
Unë e di dhe në Vlorë atë lumin ters të Shushicës
Se ç’bën për Kosovën dhe ç’këngë nga Vlora këndon .

Unë i di të gjitha dhe s’ka kush më thotë
Se gjoja Kosovën nga larg si poet dashuroj,
Mes Kosovës jam brenda me kokën e ftohtë,
Ndaj Kosovën, si bukën, nga mitet vërtet çmitizoj …/ KultPlus.com

Të ngjajshme