Nuk din shkjau me mbajtë miqsí!

23 Tetor, 2020 - 2:00 pm

Poezi nga Gjergj Fishta

Nuk Din Shkjau Me Mbajtë Miqsí!
Por, s’ din Shkjau me mbajtë miqsí!
Aman, Zot, kur duel Serdari,
Se ç’ kje ndezë Vranina zhari!
Aman, Zot, kur mrrîni Pera,
Se shum krisi atbotë potera!
Por kur rán Shkjét e Vraninës
Shum u krisi plumja shpinës!
Porsi shé, qi m’ nji natë gjâmet
Rritet turr e del prej âmet
Tuj ushtue – e tue shkumue,
Shkaperderdhet nper zallina,
Ashtû u derdh Shkjau te Vranina,
N’ valë Shqyptarët krejt tue i pershî.
S’ lufton ndryshe e rrebtë kulshetra
E me dhâmbë edhè me kthetra,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Kur drangojt t’ a kenë rrethue;
Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari
Per dhé t’ amel, qi i la i Pari:
Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá,
Tue korrë krena neper Shkjá.
U janë ndezun flakë breshânat,
U kullojn gjak n’ dorë tagânat,
E u kullon gjak edhè zêmra,
Veç se vendit s’ u lot thêmra.
Por ç’ dobí: dielli tue lé
Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé! –
I rán ndore Shkjaut t’ terbuem
Tridhjetë t’ vrám e dhetë t’ shituem!…
O ata t’ lumt, qi dhane jeten,
O ata t’ lumt, qi shkrîne veten,
Qi per Mbret e vend të t’ Parve,
Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve
Derdhen gjakun tuj luftue,
Porsi t’ Parët u pa’n punue!
Letë u kjoftë mbí vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Aklli, bora e serotina:
E dér t’ kndoje n’ mal ndo ‘i Zânë,
E dér t’ ketë n’ dét ujë e rânë,
Dér sá t’ shndrisin diell e hânë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’ kângë e n’ valle por u kndojshin. / KultPlus.com

Të ngjajshme