11 Shtator, 2019 - 8:00 pm
Poezi nga Bujar Meholli
U ktheva në qytetin tim,
kalova nëpër rrugën
që mijëra herë e shkela
e m’u duk se
nuk e kam njohur kurrë.
Shtëpia ime s’qe
më aty në fund të rrugës;
tani krenar rrinte një objekt
me fasadë verdhane,
as dyqani përballë
ku si çilimi blija karamele
nuk ishte më…
Kalimtarë me fytyra të ngrysura
vërtiteshin poshtë e lart,
askënd nuk njoha
askush nuk më njohu.
“Nuk po e njoh më as qytetin tim”
thosha teksa ecja ashtu kot,
me sy kërkoja ndonjë skutë
të futesha dhe të qaja me lot…