19 Janar, 2024 - 8:36 pm
Poezi nga Shpetim Selmani
Po ta shohim hollë,
Nuk më ka interesuar kurrë të shkruaj,
Nuk më kanë interesuar kurrë librat,
Nuk më kanë interesuar kurrë netët,
Nuk më ka interesuar kurrë arti
Dhe as njerëzit që merren me të,
Nuk më ka interesuar kurrë ushqimi
Dhe sasia e kripës në të,
Po ta shohim hollë,
Nuk më intereson se çfarë ndodhë
Në New York, Paris apo në Prishtinë,
Nuk më intereson se në çfarë kohërash
Jetojmë dhe në çfarë kohërash të errëta
Hamë njëri tjetrin,
Nuk më intereson të merrem me ëndrrat e mia,
Më argëtojnë ëndrrat e të tjerëve,
Nuk më intereson të merrem me të ardhmen time,
E ardhmja e të tjerëve më zbavitë,
Po ta shohim hollë,
Gjithmonë e dua më shumë atë që nuk e bëj,
Atë që nuk e kam,
Atë që nuk e arrij dot,
Atë që nuk e kuptoj,
Po ta shohim hollë,
Si në kohën e luftës dhe si në kohën e paqës,
Lulet digjen nëse ja fusim flakën,
Si në kohëra të hershme dhe si në kohëra të vonshme,
Nuk arrijmë ta gjejmë çastin e duhur,
Si këtu, kudo që jam,
Si atje, kudo që je,
Qielli do të bie mbi ne,
Po ta shohim hollë,
Kurrë nuk më kanë interesuar Coolerët,
Kurrë nuk më kanë interesuar Klosharët,
Kurrë nuk më kanë interesuar Idhujt,
Kurrë nuk më kanë interesuar Hipikët,
Modernistët, Postmodernistët, Artistët,
Artistët Bashkëkohorë, Qeveritarët, Priftërinjtë,
Hoxhallarët, Gjenialët, Feministët,
Maskulistët, Snobët, Pinjollët,
Shkencëtarët, Mjekët, Profetët, Kritikët,
Durimtarët, Amerikanët, Europianët,
Ciganët, Fashistët, Çifutët, Arianët,
Nazistët, Nacionalistët, Kuratorët,
Botuesit, Fotografët, Gazetarët, Të Heshturit,
Prijësit, Budistët, Ambientalistët, Zezakët,
Të gjithëve mund të ja numëroj
Pakënaqësitë dhe tmerret një nga një,
Në lule të ballit,
Të gjithë ne,
Konstrukte të mjera diktuar nga sisteme,
Diktuar nga dhimbjet, nga dëshira për t’u dukur,
Nga dëshira për të qenë,
nga dëshira për t’u lavdëruar,
nga dëshira për të ja shurdhëruar
Njëri-tjetrit.
Po ta shohim hollë,
Shkrimtarët janë dështakë,
Politikanët janë dështakë,
Këngëtarët janë dështakë,
Religjionet janë të dështuara,
Kombet janë të dështuara,
Unionet e Paqeve janë të dështuara,
Historia diçka që ka të bëjë me dështimin,
Po ta shohim hollë,
Nuk më pëlqen teatri,
Nuk më pëlqen filmi,
Nuk më pëlqejnë të hidhëruarit,
Të dashuruarit, grabitësit, ata
Që urrejnë, ata që flasin në emët të Zotit,
Ata që flasin në emër të Djallit, ata
Që flasin në emër të Dashurisë,
Po ta shohim hollë,
Nuk më pëlqen Viti i Ri,
Krishtlindja dhe Muaji i Mjaltit,
Çfarë në hamam është kjo e fundit,
Po ta shohim hollë,
Çfarë në hamam janë Gjyqet e Luftës,
Muzetë e Paqes, Institucionet, Urat,
Muret, Planet, Profesorët, Bankat,
Armët, Atomet, Sentimentet, Argumentet
Dhe çfarë në hamam janë kujtimet
Mbi të kaluarën si diçka e hidhur,
Si diçka e njelmët,
Po ta shohim hollë,
Çfarë është ajo gjë kaq
E trishtë në mes lindjes dhe vdekjes
Së secilit,
Çfarë është ajo gjë që na mban
Në këmbë dhe ajo gjë që na rrënon
Në tokë,
Çfarë është ajo që kemi në mendje,
Çfarë është ajo që nuk kemi në të. /KultPlus.com