7 Dhjetor, 2017 - 1:06 pm
Poezi nga Qëndresa Prapashtica
…patën ecë s’di sa, në rrugën ku shtrohej maxhja
me bë bukën e bardhë, të cilët e hanin fëmijët e këtij planeti
me zgjebë
sepse këtu s’lahen mëkatet.
“o my dear” tha nji amerikane kur e pa një qen ta plagosur në rrugë
e mishit të derrit të saj të fëmijërisë baba ia pati fshehë emrin,
“o my dear!” nji shoqe e saj thërrat zëshëm nga malli i përtej Atlantikut
s’ndodh të mos shihen njerëzit e një “klase” për më shumë së një mot…
“o my dear”, “s’e din ti!”, cfarë historish fshehë ky qytet
që nga muret e kuqe të luftës e deri te “kta te hujt” që “s’jon hiç ma të mirë se tonët”
– mbi erën e kafës vlojnë fjalët e ritualit të pirjes,
vlojnë dëshirat e pabëra, e mendimet e pathëna drejtë…
“o my dear… how have I loved you”
e lexova rastësisht mesazhin e këtij burri të vjetër
që harron letra të hapura mbi tavolinë, për një grua ose burrë që s’do ta njoh kurrë
e mua më tha “o, my dear”, falmë se i harrova cigaret, e unë ia fali kujtesën e dobët
nën dy buzëqeshje të zbehta bëhet nganjihere nji komunikim i ngrohtë,
i parëndësi.
“o my dear”,
mos i le gjanat në harresë
ose të përsëriten kaq shumë nën nji himn rutinë që mshelë poret tua
se ti m’ke thanë “dear” me shumë kuptime,
e unë kam kohë të lujë më fjalët
derisa njerëzit ecin nëpër rrugën ku dikur shtrohej maxhja
më bë bukën e bardhë,
edhe një erë e mirë ndahej mes nesh, my dear, jeta ishte erëmirë,/KultPlus.com