‘Pa ty’

9 Shtator, 2021 - 11:00 am

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i hënës.


Lejlekët ikën.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.


Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullare të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishote.


C’të bëj, po them me vehten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?


Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do të më ngelet
I ftohtë medalioni i hënës./KultPlus.com

Të ngjajshme