12 Gusht, 2022 - 4:30 pm
Poezi nga Ismail Kadare
Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjethërënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i hënës.
Lejleket ikën.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë ere e ftohtë,
Ku ca mullarë të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.
Ç’të bëj, po them me veten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem permbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do të më ngelet
I ftohtë medalioni i henes. /KultPlus.com