6 Shtator, 2018 - 11:20 pm
Poezi nga Arlinda Baftiu.
Në pajën e nanës i kam gjetë palue rrugët e përbaltuna,
epue në themrat e çikës që zvarritet kah drita,
e tue ecë nëpër errsinat e kohve të ftohta,
bahet vigan i luftave në kangët e trimnive të pakëndueme….
paja e nanës qendisun me gjylpanat e djersëve të akullta
lulue me urtitë e zanave të malit,
në pejt’ e kuq të gjamave të heshtuna.
E bardhë paja e nanës me çarshafët e mirsive të paepuna
që shtrohen gjanë e gjanë me mbulue tana errsinat,
çilma sandëkun e dritës, nanë,
çilma diellin ta marr zemrën,
edhe pshtjellëm prapë në lulakun e bebës,
që e ke pru në pajë,
të rritem edhe njiherë në diellin tand./ KultPlus.com