Paramendo

19 Nëntor, 2019 - 1:26 pm

Poezi nga Hatixhe Misini. Poezia është në mesin e 20 poezive më të mira të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.

Marr një fletë të shkruaj për veten,
për të tjerët, për njerëzit, për botën
Duart më dridhen dhe mendja s’fokusohet
Shikoj retë që sjellin disa lajme që çrregullojnë motin

Mundohem të kapi erën që shkon rreth për rreth tokës
e sheh sytë vezullues të çdo zemre të brengosur

Por gjithcka që më kujtohet janë disa buzëqeshje të fytyrave të panjohura
Fëmijë, gra, burra që me përqafime lehtësojnë ajrin e tymosur
Fjalë që qetësojnë zjarre në shpirtëra të hidhur
Një puthje që largon helmin e përbuzur
Prandaj e lë fletën të pushojë

E papritmas silueta vizatohen në të
Duar që shtrëngohen fort, sy që mbështetje kërkojnë
Dhe një zë që thotë ‘Paramendo’
‘Paramendo një botë ku paqja nuk është një rrugëtim e as një destinacion
Paramendo një botë ku paqja përbën cdo gjë që njeri do të thotë’.

Të ngjajshme