25 Tetor, 2017 - 4:15 pm
Poezi e shkruar nga Shkëlqim Çela
Pashë rrugës një grua që po qante heshtur
si oaz mu duk mollzë e saj
në atë trotuar betoni
me pemë të sapothara
dhe pluhur marsi;
kaq, se më pas ajo
do nxjerrë rruspa ekskavatorësh
të prishë akuaduktet,
qyngjet nëntokësorë të lotëve,
do thajë pelikanët e muzgut,
kënetën e bukur
në jukun e shamive të buta mbytur,
do shtrojë argjilë e pluhur hëne të vdekur,
një talk të heshtur, të pafjalë,
pudër jupiteri me urinë dhe etjen
e tharjes globale.