Për nder të sime motre

16 Janar, 2018 - 5:42 pm

Poezi nga VISLLAVA SHIMBORSKA / Përktheu: Agron TUFA

Motra ime nuk shkruan poezi
dhe zor se do të nisë të shkruaj papritmas.
Ajo është gjallë mamaja – edhe ajo nuk shkruante poezi,
po është gjallë babi, i cili, sikundër mami, nuk shkruante poezi.
Ndjehem shumë mirë nën çatinë e shtëpisë së saj:
burri i sime motre më parë do të vdesë, se sa të nisë të shkruajë poezi.
Dhe pavrësisht faktit, se po filloj të përsëritem,
e vërteta është, se askush prej soit tim
nuk ka shkruar kurrë poezi.

Në sirtaret e tavolinës së shkrimit të motrës s’gjen poezi të vjetra,
ndërsa në çantën e saj nuk do të gjeni të reja.
Kur ime motër më grish për drekë,
unë e di – ajo s’ka për të më lexuar poezi.
Supat e saj janë të mrekullta edhe pa to,
dhe kafja e saj kurrë s’do të derdhet mbi dorëshkrim.

Ka shumë familje, ku askush asnjëherë s’ka shkruar poezi,
por, si thuhet, çdo familja e ka një budallë: poezia,
nëse bën vaki, fillon të gurgullojë përmes brezave,
duke formuar një gjeratore, në të cilat mund të mbytet
çdo lumturi familjare.

Motra ime nuk është aq keq me fjalën e folur,
por trashëgimia e saj shkrimore përbëhet veç prej kartolinash,
të cilat ajo i shkruan kur është me leje, çdo vit duke premtuar,
se kur të kthehet, ajo ka
aq shumë
shumë
shumë,
për të më treguar mua.

Të ngjajshme