19 Prill, 2019 - 4:30 pm
Poezi nga Arjola Zadrima
Për të fundit herë në këtë jetë
shihen veç të gjallët.
Ata që ecin në kalldremin e qyteteve fantazëm,
kishat gotike
të Dielën lusin Pashkët,
unë rri.
Gjithmonë kam mendu se vij prej botës përtejme,
ku gjenezat i bajmë
me baltë e hi,
diku në thik malesh je ngjizë , ti.
Sa kisha dashtë
që në ditën e ringjalljes
të vish si KRISHTI,
në të majtën teme
e ti jap fund kësaj të rrejshme,
që nuk më përngjet.
Për të fundit herë
në këtë jetë lamë një lamtumirë,
e nji kujtim gri
që mi grish krejt sonatat e shpirtit,
por unë vij prej botës së përtejmë
ku nji ditë kena me u gjetë
sy më sy,
ndoshta veç me dashtë
a me u përhimu njaty…