13 Korrik, 2018 - 11:30 am
Poezi nga Rita Petro.
Mos e vrit veten as këtë natë
Ti
Që çdo mesnatë e gjen shtëpinë
Zhytur në errësirë…
Ku e zeza dhe drita pikturojnë
Imazhet e tua surreale,
Lindur prej një truri të eksituar
Nikotine-alkoole-drogash…
Mos e vrit veten as këtë natë
Duaje vetminë tënde
Madhështore, të shurdhët,
Zhurmë-tingujsh dhe aromë-masturbimesh
delirante.
Mos
Mos e vrit veten as këtë natë!
Vetmia jote boheme është më e mirë
Se gënjeshtra që mban në një krevat
burrin dhe gruan,
Se pagjumësia e liderit pervers
Që ëndërron të shembë çdo ditë
nga një ëndërr tonën,
Se makthi i atij që fle
Mbi dyshek parash erëndyrë,
Spërkatur me Pure White Cologne.
Prit!
Para se ta pish dhe pikën e fundit të helmit,
Dëgjoje qarjen e saksit që vjen nga lokali poshtë
Klithmën e mbytur të seksit
Pas murit në të majtë,
Drithmën e celularit dritëmekur,
Kur vizatohet një zemër në ekran.
Asnjëherë s’je vetëm o Ti mik,
Që kërkon të shpëtosh veten nga errësira!
Jam dhe Unë këtu.
Jemi të Tjerë aty-këtu
Që vrasim natën me një gotë kokteji,
Ku pikëllimi përzihet
Me pak ëndërr
Pak shpresë
Dhe pak gjak cherry.
Prite!
Prite edhe këtë natë dritën e mëngjesit,
Që si shpatë çan mes për mes
Grilave të vjetra
Dhe vizaton nëpër mure
Jetë të pastra bohemësh./KultPlus.com