Perden askush nuk e ka lëvizur më

19 Mars, 2020 - 4:30 pm

KultPlus solidarizohet me viktimat e virusit me poezinë “Perden askush nuk e ka lëvizur më”

Poezi nga Dije-Demiri Frangu

(Ideja: nga bisedat me miken kalabreze që jeton në Romë, A. Dorsa)

Nanë
Një qen me këmbë të thyer është shtrirë në oborr të teze Silvës
plot zëra macash vijnë nga andej e shoh që perden askush nuk e ka lëvizur më
Lampa e oborrit ende është ndezur s’ di si s’po pëlcet
Po thonë toka është çmendur ajri ka luajtur mendsh
Nanë
Drunjtë sikur janë në zi s ‘kanë nxjerr ende asnjë gjeth
Edhe poezive u është shterrë qumshti
Një i marrë ngatërroi lojën me vdekjen po thonë nënë
Unë s’ kam shkuar te frizeri më e flokët nuk i kam hiç mirë
S ‘kam dalur të blejë as buzëkuq
Thanë operacione plastike s’ po bëjnë më doktorët
S ‘po di a të tregoj, edhe tezja Lauarë
Që më pat dhuruar për ditëlindje fustanin e mbesës së saj
Me një trendafil mbi arkivol u nis dje për tek ti
Ndoshta krejt po vijnë moshatarët e tu se po thonë
Vdekja botës i ka modeluar nje fustan te zi

S’ di nëse është dikush t ‘na përcjellë pas një kohe
Edhe punëtori e arkëmordjes kishte vdekur dje
U sa të bukura i bënte lulet përreth tij

Mirupafshim nanë,
Mund t’vimë të gjithë këtyre ditëve
Mos ke frikë unë jam e mbyllur- nga dritarja e thyer
Po shoh frikën si ec udhëve

Të ngjajshme