27 Mars, 2019 - 4:00 pm
Poezi nga Shkëlzen Halimi
Do ta pikturojmë stinën pa emër
Dhe heshtjes do t’ia vjedhim përjetësinë
Do ta përmbysim edhe dhembjen
Duke zbritur shkallëve pa fund që çojnë drejt botës
Ku plagët bëhen tunele
Me kujtesën dritë në fund të udhëtimit
Nuk e kemi thënë fjalën e fundit për atdheun,
Lirinë dhe dashurinë
Do të qëndrojmë në këmbë
Dhe do të luftojmë me valët e jetës
Në brigjet e Bosforit
Në hejbe do ta fusim gëzimin,
Albumin e kujtimit dhe pamjen e qiellit
Arkën e vogël të shpresës
Me lulet plastike do ta ngjallim stinën e plagosur
Që e mori emrin e dhembjes
Në këtë rrugëtim të kemi kujdes nga kthesat
Se në to mund të fshihet terri me plot pabesi
Të ikim sa s’na ka zënë vërshimi i urrejtjes
Të ikim nga kjo zagushi
Se kudo që të na zë nata
Terri do të na bëhet mbulesë shtrati
Na ka ikur mëngjesi bashkë me pagjumësinë
Vetëm ëndrrat na i kthejnë
Pamjet e harruara dhe fanarin që ndriçon
Rrugën e dhembjes
Rrugën e lotit
Sa shpejt që na ik koha
E dashur, t’ia fillojmë luftës
Se mund të vdesim në harresën
E ushtarit të panjohur
Dhe kur të dalim përtej
Do ta pikturojmë stinën pa emër
Me ngjyrat e errësirës
Prandaj, të ikim sa nuk janë zgjuar rrënjët e dhembjes. / KultPlus.com