28 Mars, 2019 - 10:00 pm
Poezi nga Mirko Gashi
Në dreq të mallkuar
me drapërin e hënës së re në rërë
mjellmën e argjendtë e kanë prerë
Mes brigjeve uji
shtatë diej fundosi
dy hëna nusërore varrosi
Mjellma e zezë
dhe ajo e bardhë
mua më kerkojnë
pas hënës së re
të zi ose të bardhë
Dhe mbaj në mend
kur hëna bashkohet
dhe hëna në det fundoset
ai do të rritet tatëpjetë baticës
Vdekja dhe jeta
shetisin dorë për dore
si binjakët që shkojnë në shkollë ujore
për të mësuar
pse vlon qumështi në gjirin e nënës
qysh zgjohet deti në prehërin e hënës
në baticë
kërkojnë fytyrat tona të humbura
e ti lule
zhvisheshe ngadalë
ata duruan të të shohin
durimi
është kufiri i menqurisë dhe çmendisë
I përngjan hënës
e nënës
ai është limani
i fundit i mirësisë
O Zot
droj
se do t’i prejnë
rrezet e Hënës
si do ta luajë atëherë
elegjinë për dëmin
në lyrën time pa tela
Hëna drapër
korrte valët e detit
Njeriun e pret korrja
ai gjuan draprin e hënës
Në krahërorin e jevgut
e krisur
hëna dënes
Njëherë marama të bëhet e mbrama
mbaron loja
do të jetë Hëna
do të ketë rreze
të mbyllet syri
të pushon goja.
Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën
Në prehërin e hënës
sa e lumtur
më ishte jeta
edhe në shpirtin tim
tashti zbriti bleta.
E unë e hëna vajtojmë
luajmë etida
ç’u bë nisia
Ku është Atlantida
Troku i kalëfuqive
buçet
Korbat nëna
e çalë hëna
do të vyshken
burbuqet
Ji i gëzuar
mos rri me lot
sonte niset hëna e plotë
Nëpër guaca po fle gaca
sonte niset hëna e plotë.