27 Janar, 2019 - 5:30 pm
Poezi e shkruar nga Bekim Muhaxheri
Në të djathtë rrinte engjëlli
E në të majtë djalli
Të dy me fjalë
Dhe ngjyra të ndryshme
Përkundësja zakonisht ishte nëna
Që fliste ose këndonte
Për beteja të largëta
Të së mirës me të keqen
Për ndeshje në qiell
Të dragonjve me kuçedrat
Për një kalorës
Që edhe i vdekur
E kthente të motrën në shtëpi
Për ta mbajtur besën…
Ne nuk merrnim vesh asgjë
Por pavetëdijshëm na krijohej
Shpirti i luftës së drejtë.
Rrëfimet vazhduan
Edhe pasi lamë djepin
Por kur u rritëm
Nuk na dolën flatra dragonjsh
Nën sqetulla,
Nuk pamë as kuçedra,
E kuajt nuk përdoreshin
Më nëpër beteja.
E megjithatë,
Diçka nga ato rrëfime
E mbetur brenda nesh
Nuk na lejon as sot
Të bëjmë keq.