Përse mendohen këto male

8 Dhjetor, 2023 - 5:30 pm

Poezi nga Ismail Kadare

1

Përse mendohen këto male të larta,
Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade?
Një malësor ecën buzë mbrëmjes,
Pushka e gjatë
Me qindra kilometra hije lëshon mbi dhé.

Vrapon hija e pushkës,
Pret male, fusha, fshatra;
Hija e tytës lëviz shpejt në muzg.
Eci dhe unë në një pllajë të pjerrët
Me një mendim në kokë
Diku.

Hija e mendimit dhe hija e pushkës
Kryqëzohen e përplasen në muzg.

2

Kështu ke ecur gjithmonë, Shqipëri,
Mbi këmbët e gjata,
Me një pushkë të gjatë.
Ecje dhe s’dije ku veje ti
Drejt një mëngjesi plot re e mjegull,
Të hirtë e të turbullt, si e linte nata.

3

Tokën kur e gërryejnë rrebeshet,
I dalin rrënjët rrëpirave,
Ashtu ta gërryen trupin tënd shekujt
Gjersa të dolën dejtë e brinjët.
Dej, dej dhe brinjë,
Vetëm shkëmbinj, gurë e male,
Pak fushë,
O, sa pak fushë,
Shekujt të lanë!
Shekujt si qentë të kafshuan,
Ku mundën të të hanë.

Mes tyre tek shkoje,
Ata të suleshin,
Dhëmbët e kohërave
Në ije të nguleshin,
Po ti nuk ktheheshe,
Po ti s’përkuleshe.

4

Nga supet
Pushkën e gjatë s’e hoqe kurrë,
Nga supet e tua plot plagë,
Nga supet kockë e lëkurë.

Bukën e ngjyeje me shëllirë,
Shëllirë dhe misër përnatë,
E ruaje atë pak yndyrë,
Oh, atë yndyrë të paktë,
Për mikun dhe pushkën e gjatë,
Për të lyer pushkën e gjatë!

Se gruaja lindte fëmijë,
Por pushka lindte krisma,
Dhe për shqiptarin ishin
Po aq të shtrenjta të dyja:
Dhe krisma dhe fëmija.

Fëmija do lëronte nesër me parmendë
Dhe do ta mbronte netëve krisma.
Mbi supet e Shqipërisë kohërat krisma hidhnin,
Ashtu si mbi supet e nuses orizin.

5

Në këmbët e maleve shtriheshin fushat,
Të urta si gratë, si gratë kokulura.
Ç’të gatuanin fushat për gjigantët e uritur?
Mbi fushë era vërshëllente “u”,
Shtriheshin duajt e rrallë sipër tyre
Si të vrarë, përmbysur aty-këtu.
Ndaj malet bubulonin e lëshonin tatëpjetë
Gurë e përrenj plot sherr e poterë.
Ato, kokulurat, gjithçka duronin
Duke ëndërruar tjetrën verë.

6

Ta tretën trupin rrebeshet, ethet, malarja;
Të shurdhuan veshët
Priftërinjtë dhe hoxhallarët,
Dhe, si Saturni,
Bijtë e tu i haje me gjakmarrje
Dhe bekonin gjakmarrjen
Minaret dhe kambanaret.

7

Kontaktet e tua të para me shpikjet,
Me të rejat teknike të qytetërimit,
Ishin markat dhe kalibrat e rinj të armëve,
Që provoheshin në gjoksin e rreshkur plot brima.

Dhe pas luftërave mbeteshin varre malësorësh të vetmuar;
Murana të trishtuara.
Emra njërrokësh,
Gjer vonë
Një grumbull gurësh
Dhe, në vend të luleve,
Te koka një këngë monotone.
Ngritur nga fisi i tij
Një këngë monotone.
Dhe tretej pranë gjymtyrëve të gjata
Pushka, pushka e gjatë.
Dhe pas gjymtyrëve të gjata
Tretej emri i shkurtër,
I binin rrokjet,
Si boçet e pishës në shi,
Dhe, pas të gjithave,
E fundit tretej kënga,
Kënga monotone e fisit të tij.

8

Dhe Shqipëria prapë strukej në kasolle,
Në netët e saj të zeza mitologjike;
Në ca tela lahute kërkonte të thoshte diçka
Nga shpirti i pakuptueshëm i saj.
Nga zërat e brendshëm,
Që buçisnin shurdhër thellë tokës epike.

Kërkonte të thosh diçka,
Po ç’mund të thoshin vallë
Tre tela nën pesë gishta, që dridheshin prej urisë?

Duheshin qindra kilometra tela
Dhe miliona gishta
Për të thënë shpirtin e Shqipërisë!

9

Po ta vrisje në një breg,
Në tjetrin dilte,
Sikur mbinte nga toka,
Shqiptari i thatë
Dhe, përmbi trup,
Si shtesë e hekurt,
I rritej e zezë
Pushka e gjatë.

Me të në krah,
Në male e fusha
Endej ai në këto vende.
Më të gjatë shtatin ia bënte pushka,
Megjithëse shpesh jetën më të shkurtër ia bënte.

10

Netët pillnin mëngjeset,
Të turbullta, të hirta;
Ditët mallkonin netët,
Netët ditët.
Shqipëria, nga ashpërsi e saj,
Pillte fëmijë të bukur,
Duke vënë në çdo fëmijë
Një ëndërr, një shpresë,
Gjinjtë e saj të shteruar duke ndukur;
Pillte Shqipëria,
Pillte ushtarë,
Që vdisnin pastaj rërave të Saharës,
Duke kënduar këngën e Urës së Qabesë.

11

Bijtë që dërgove qyteteve të Europës,
Që njohën gëzimet e huaja,
Erdhën një nga një,
Duke gjetur n’atdhe trishtime,
Re të ngarkuara me shi të verdhë.
Monarkia si gurëthyese u thyente ëndërrimet
Erdhën.
Me valixhe plot iluzione
Nën hije të minareve, të manastireve,
U endën në vjeshtra deziluzionesh,
Gjersa në gji toka i mori prapë,
I kalbi nën këmbët monotone të shirave.

Frutat e hershme e kanë çmimin të shtrenjtë,
Por frutat e hershme i rrëzon shpesh ngrica,
Ato Shqipëria i futi prapë në gji.
“Është herët”, tha,
Duke vështruar agimin e zymtë.
Dhe prapë u përkul mbi parmendë të lërojë,
Duke mbjellë në brazda të gjata lotët e saj të athët,
Nën një qiell të zi e të pafund injorance
Mbillte lotët e saj
Për furtunat dhe rrebeshet e ardhshme.

12

Himnizonin poetët zanat dhe shtojzovallet,
Por ato qëronin morra ndanë ujërave,
Zanave, shtojzovalleve u dilnin kokallat,
Shtriheshin për lekë prapa shkurreve.

Ndonjëherë qëllonte që i braktisnin
Zanat e shtojzovallet bjeshkët epike,
Në lokalitete
Një nga një zbrisnin
E një nga një futeshin
Në shtëpitë publike.
Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve
Mbi shpinat e lodhura
Si plagë,
Si tallje.

13

Në pallat mbreti Zog jepte ballo përnatë
Buzëqeshnin princeshat,
Vallëzonin çengitë;
Në qelitë e qeta të manastireve të ftohta
Bënin studime për sufikset priftërinjtë.

Në kafe “Kursal”
Orkestrat binin,
Lyheshin me pudër damat e plakura,
Ndërsa Shqipëria lehonë
Dështonte ditët
Në pelena resh të përgjakura.

14

Pati njerëz që deshën t’i tërheqin malet
Si kuaj të bindur për kapistalli,
Dhe i tërhoqën një copë udhë,
Porse në terr e humbën udhën.
Vinin vargmalet e tmerrshme vërdallë
Nëpër natë e mjegull,
Të verbra,
Të frikshme.

Si të trembura me klithma të lashta, tragjike,
Hingëllinin nëpër ëndërr malet kreshnike.

15

Përse mendohen këto male të larta,
Këto enigma me kurriz që zgjaten jug-veri?
Vazhdoj udhën time
Nën hijen e pushkës së gjatë;
Kjo pushkë e gjatë:
Leva e Arkimedit për ty, Shqipëri.

Nëpërmjet shënjestrës së pushkës së tij,
Shqiptari vështronte horizontet dhe kohët,
Vërshëllima e vetmuar e maliherit të tij
I detyronte shekujt të ulnin kryet.

Kjo tyta e pushkës
Mbi shpinë të shqiptarit
Si një eshtër e gjatë, e mprehtë ka mbirë,
Mbi kurriz e ngulur nga fati i vështirë,
Vazhdim i shtyllës së tij vertebrale,
Kjo e hekurt, e tmerrshme gjymtyrë,
Atavizëm krenare e kohëve të para.

Me këtë fat mbi shpinë të tij
Mes shekujve ka lëvizur i patrembur shqiptari,
Duke shkelur me opingën e lashtë të tij
Këtë tokë të stërlashtë me të gjyshërve varre.

Këtë tokë që më shumë heroizma sesa grurë
Ka prodhuar gjatë shekujve,
Këtë dhé…
Ja përse mendohen këto male të larta,
Ndërsa muzgu po bie tutje në xhade.

1962-1964 /KultPlus.com

Të ngjajshme