13 Korrik, 2023 - 9:47 am
Ndue Ukaj
Përsëri qielli i kthjelltë
dhe plazhe të shndërruara në rërë dëshirash.
Përsëri verë e qetë,
korrik dhe një ëndërr për një plazh
te gurgullima e ujit të ftohtë.
Gjithçka në jetë kthehet sipas një skenari të moçëm,
siç kthehet korriku,
zhegu,
gruri
dhe një grumbullim ëndrrash
që përpëliten nëpër qiej
si bletë që duan hoje.
Përsëri zheg
korrik
si para qindra vjetësh,
dhe kështu do të jetë edhe pas mijëra.
Dhe ëndrra të njëjta,
ëndrra prej dylli që fluturojnë drejt diellit
dhe shkrihen si në legjendë.
Ca të tjera presin një korrik tjetër
një reliev të sheshuar
diku nëpër maja të larta
ku temperaturat e shpirtit janë më të ulëta.
O përsëri korrik
zheg
dhe një plazh plot mendime,
afshe
dhe një stuhi diellore
që fashit kohë
në peizazhin e bukur të perëndimit të diellit,
ku ndritin ëmbël sytë e tu.
E unë dua korrikun tim
në prehrin tënd të zhveshur,
ku burojnë ujera të qetë dhe dete të ëmbla,
ku lahem e thahem.
Hëna sot duket pa formë,
si dëshirat e trashëguara.
Dikur kishte vetëm korrik
dhe s’ kishte janar
as ëndrra të ngrira.
Ekzistojnë momente kur ka veç hënë të plotë
dhe dritë
dhe sy plot dritë
dhe krahë të hapur
dhe pamje të pafundme lumturie,
kur perëndon dielli
dhe dëgjon tingujt e pianos së shpirtit.
Dëshirat lindin të mëdha dhe treten të vogla në orbitën e territ,
por ka diçka që s’perëndon kurrë:
një ditë madhështore korriku që kthehet në poezi.
Sepse korriku i ka ditët e gjata e netët e shkurta
kjo domethënë ka ëndrra dhe pak terr
sepse terri kurrë s’ i qartëson ëndrrat. / KultPlus.com