12 Dhjetor, 2023 - 3:48 pm
Laureta Rexha
U habita kur e pashë papritur
Ajo kishte një buzëqeshje më ndryshe
Një shikim të tretur
Një frikë më pak
Sepse i kishte parë të gjitha tashmë
Ikjen e papritur
Mungesën që nuk mbushej me asgjë
Kërkimin e syve të njohur nëpër turmë
Madje edhe tani pa e ditur përse
E sheh shikimin tim të vrazhdë
Si rend pas saj
Duke mos e kuptuar
Duke mos ditur në çfarë ëndrre të saj
Kisha hyrë pa e ditur
Dhe ashtu humburazi kisha dalë.
U habita kur e pashë papritur
Të nesërmen do ta lija edhe vendin tim
Edhe ëndrrat e mija
Edhe ëndrrat e saj
Ishte një qytet i huaj atë mëngjes
Qyteti i tërë pandalë zbrazej prej nesh
Dhe zbrazej diku në një pikëllim të bardhë…/KultPlus.com