29 Prill, 2025 - 7:13 pm
Poezi nga Ardita Rexha
Thonë se koha shëron gjithçka
po sonte vuajtja është ‘becketiane’.
Më thonë se çdo gjâ e ka një arsye
Vetë arsyeja është ‘donkishotiane’.
Thonë se:
vuajtja është vdekje e parakohshme e mendimet gërmojnë shtresëzimet e plagëve.
Do të kalojë dhe kjo, më thonë ata.
Do të vijë dhe vdekja!
…
Shpërqëndrim emocionesh të ndrydhuna
pakuptimësi…
Shpërqëndrim emocionesh të ndrydhuna, veshun e fshehur nën petkun e djallit.
Dalldi e absurdit njerëzor, drithërimë e çuditshme, shkëdia shprese
Zhveshur prej shikimit fëmijënor.
Kjo hije më ndjek ngado.
Mi ngul sytë, buzëqesh dhe më verbon..
Befas bërtas, godas, blasfemoj, iki e kthehem në rrethin vicioz të dhembjes.
Janë britmat vangogiane të shpirtit.Po deri kur?
Ekzistenca ime bëhet pyetje ekzistenciale..
“Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin”, u rrotullonka pra, rreth “qëllimit të hiçit”.
E ky ag është gjithmonë i njëjtë..
….
Njeriu në kryq, përgjërohet për falje.
Shën Maritë në tokë, kokëulur tregojnë se vetëm ato e njohin Zotin…
Naten flenë me të e në mëngjes zgjohen me barkun e rrumbullakosun.
Lutje pafund të na falë se aq dimë, e aq flasim…
Refreni mbetet i njëjtë:
“Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”- le t’më dënojë qielli…
Pastaj, Zoti më tregon sekretet…
ca të tjerë në gjunj i përgërohen e në anen tjetër, në këmbim të parajsës
pakt me djallin bëjnë…
Ky lëmsh magjik..kjo tokë e përlyer në gjak
Po vuajtja mbetet ‘becketiane’.
Koha prapë kërkon të ndryshosh ritmin, kahjen, fundin…
A mos është ndoshta fundi i fundeve?
…
Toka të thërret të ri-lindesh
Po unë?!..
Vetëvrasje bëj unë, çdo ditë
duke vrarë kohën time, dritën dhe afshin e pasionit.
Ky zjarr i vuajtjes lëshon tani bulëza drite,
Një token e re në ferrin e të pafajshmeve.
Nje toke e re për të moralshmit frikacakë.
Një tokë e re për hipokritët, dyfytyreshat,
mashtruesit dhe tradhtarët e vetes-kështu nisë kalvari i vuajtjeve…
Qan shpirti në kafazin e vetëkrijuar.
E ky varg është klithma shekullore
është vuajtja që lutet për shpëtim.
Kjo tokë meriton ti ta falësh…
Agimi i radhës është i përgjakur
Agimi i sotëm ishte ndoshta i fundit…
Mos prit!
“Godoja” nuk do të vijë kurrë…/ KultPlus.com