Peshk në govatë

11 Gusht, 2023 - 12:27 pm

Teki Dërvishi

bëra më mirë natën dola
në oborr Hana lart nuse violet
spërkat gjethet e trëndafilit
me piklat që vezullojnë sedef
natë vere pemësh që piqen m’degë
shtrirë barit im at po fle
ka gjashtë vjet që ka vdek’

vonë këso netësh nga gjirët e Drinit
nga peshkimi kthehej ai
pesëdhjetë vjet me pemën e papjekur
me ujin e zi që udhëtonte me çikletë
me shtambat që varte timonit
plot ajër e peshk
dhe midis oborri në govatë druri
krijonte detin e tij të kufizuar

po sonte? kush e solli peshkun në govatë
kaq të lirë pa gjuhë
të lundrojë në ujin e kufizuar
i lirë

ah të ishte midis katër muresh
do t’ia linte fajin burgut
që s’e la të vinte deri te ti deti

dhe unë mund të dal të eci e të eci
të shkel barin, pluhurin, lumin, kënetën
oh moj ti vdekja – vetëm. / KultPlus.com

Të ngjajshme