Pjella mizore si ai

20 Gusht, 2018 - 3:00 pm

(Mbi rastin e Zejnepe Berishës) / Botuar edhe për ta kujtuar rastin e fundit me të miturën në Drenas!

Dëgjo,
E para, ti nuk ke faj për asgjë,

Nuk është fajësia jote ndjenja e nënës,
as ndjenja e një gruaje që bota iu përmbys,
as loti që sa e sa herë e ke derdhur e ne tjerët jemi cjerrë prej gëzimit të paditunisë,
as fati që të ra hise prej perëndisë.

Sa herë netëve je lutur të vdesësh,
ti, para se viktima ti shohësh përpëlitur fëmijët e tu,

Dëgjo mirë, Zejnepe,
Ti je grua, e grua është fatkeqësi në botën e burrave me mëngët lart.
Ti je nënë,
E nëna është mizori për burrat si ai, që mos e pafshin kurrë dritën e jetës, kanë zemër prej guri.
Ti je grua, e grua është e tmerrshme për burrat e ringut të boksit në familje.
Ti je nënë,
E nënat kurrë nuk kanë dashur ti rrisin këto pjella mizore si ai.

Ti je grua,
E për burrat si ai, që besa i kemi plot, një grua do të jetë fshisë elektronike përgjithmonë.
Dhe ishalla shiu i botës bie furishëm mbi ta,
mbi sytë e mbi fjalët e mbi kokat e tyre.
Ti Zejnepe, na shiko nga lartë e duartrokit me komedinë tonë.
Ti je ankthi që do t`i kthehet atij në ëndrra.
Ti je ëndrra që, nëse ka drejtësi pa gjyqtarë e çekanë, do të kthehet në ankthin e burrave si ai.

Dëgjo Zejnepe,
Je e padenjë në këtë kafene ku jetojnë burrat me mendime shpellare.
Njëjtë, si ai.
Nuk ke ti faj që 20 herë dashni tu kthyen shuplakë për 20 goditje thikë.

Unë, të kërkoj falje në emër të perëndisë,
nënës natyrë,
sepse kaq i padrejtë është rendi i burrave si ai.
Kjo botë u dha fuqi burrave, si ai, të mendojnë se preja e tyre është zemra e nënës së dikujt, vajzës së dikujt, si ti.
Lotët e nënës tënde u bëfshin bekimi yt,
e palumturia e tij.
Zejnepe, çfarë sy të përvuajtur këta tutë,

Të vësh dorë mbi ty është si të vësh dorë mbi të shenjtën,
mbi shpirtëroren,
mbi nënën e harruar, që qëndron si ushtar në këmbë sa herë sulltani futet në dhomë,
ai që ka guxuar të pështyjë mbi ty, e mbi të tjerat si ti
ka mallkuar veten, ka thirrë hyjnitë ta godasin me rrufe shpirtin e tij,

Të vësh dorë mbi ty,
është jo legjitime, nuk matet me letër e me laps,
as me ligje, as me fjalë, as me farë e me fis,
as me kokë fëmijësh, as me kanun e as me plis
as me shpirtngurtërsi, shpirtngushtësi,
as me dobësi nuk matet, as me fjalë burrnie që na shpifin erë stërvine.
Zejnepe, nuk ja pate borxh botës një burrë që ta copëtoi dritën e syve.

A.Selmani – prill 2017

Të ngjajshme