6 Dhjetor, 2022 - 11:45 pm
Nga Sabri Hamiti
I lindur në Gur të Thatë të Hasit
I nisur në udhë të gjatë në Botë
I ngjitur në kikën e Pashtrikut
Ti që me Qiejt e Yllsitë kuvendon
A nuk e di se përvjet e përgjithmonë
Është Qielli lart i pastër si loti
Është Toka poshtë e zezë si futa
Është Mjegulla ndërmjet e përhimtë
Që të shihen sy më sy Qielli e Toka
Ose që të duket Syri i Dielli
Mjegulla e përhimtë duhet të ndiqet
Vetëdija është kokërr e fortë e mendjes
Se vetëdija e Qyqes është prapë Qyqe
Se Qeni më besniku është prapë Qen
Se Njeriu është aq i fortë aq i lig
Nëse Qielli me Tokën donë të puqe
Nëse Mali Deti Fusha donë të puthen
Duhen Uji Ajri Dheu e Zjarri
Duhen Mendja Shpirti Trupi e Njeriu
Jeta pra të jetohet deri në mbari
Në një malbrezë të gjakut të kulluar
Si është zbritja nga Gur i Thatë i Hasit
Në Baltën e Gjallë të Prishtinës
Ku Fjala fluturuese e ka motër Drojën
Ku Shkrimi kryeneç e ka vëlla Rrezikun
Ku Heshtjen e lehin Qent besnikë në Kor
Nëse Vdekja është përqeshje e Jetës
E Jeta është vetëm provim i Vdekjes
Ringjallja është Ngushëllimi i fundit
Ndërrimet janë flama të Përjetësisë
Qe treqind vjet rrimë bashkë në Prishtinë
(Nga përzgjedhja “Trungu ilir”, 1983) / KultPlus.com