1 Tetor, 2020 - 3:45 pm
Jusuf Gërvalla
Sytë e tu qiell çerdhe e lumë i pakapërcyeshëm
ndërsa jam përgjumur përmbi tavolinë
im vëlla dhe fëmijëria ime pemën e kanë vjelë
kanë korrur kallinj
ime ëmë ka zier ftonj
shelgjet kanë vajtuar
si poeti sentimental në vjeshtë
– po asgjë s’është zverdhur.
Duart e tua pushim diçka si ujë zgjojnë
ndërsa kam ecur shtegut rrëzë mali krejt vetëm
në njërin krah shkurre zogjsh
në tjetrin gështenjat
dhe gjarpërinj.
Im vëlla të ka dashur të ka marrë dhe tash nuk je
as ti as ai s’jeni dridhmë plot fletë
nga fluturimi yt tash vetëm ngjyrë
dhe pluhur ka mbet’.
Tash po vij
fëmijë që buzëqesh mbi krahun e nënës kur pret
para shitores qumështin – tash po vij i pikëlluar
në shportën time pemë e fletë
dhe shije gjumi.
Kur të zgjohem do të iki
tash po vij në prehrin tënd, mëmë
tokë e zezë e lapidar, bajame e verdhë.
Dashuri e paluar si arni në arkë
oh s’mund ta them
as ta rrëmbej.
Tash po vij
por di se në ngjyrën e pelhurës vetëm pluhur
mbi buzëgazin tënd të shtrenjtë./ KultPlus.com