10 Shtator, 2022 - 3:00 pm
Poezi nga Rosy Gallace
Përktheu Irma Kurti
Nuk do ta ndieja boshllëkun që s’mbushet
në këto ditë të gjata të verës.
Do t’ia falja edhe zukamën gjinkallave
që ia hiqnin gjumin netëve të tua.
Do të vrapoja tek ti për të dëgjuar
përgjigjet e heshtjeve të mia.
Do të të pyesja sesi mund të jetohet:
të ngrihesh, të vishesh, të lahesh, të ushqehesh,
të mbash sekret atë dhimbje
që frymën të merr.
Do të fluturoja tek ti në ditë të errëta,
sepse nuk di ku tjetër të shkoj,
do të çlodhesha midis atyre mureve
që shpërndanin aq shumë aromë
livande dhe pudër.
Po të ishe këtu,
sonte unë nuk do të isha kaq e humbur,
e hutuar dhe e ftohur, do të kisha një buzëqeshje
dhe një dorë të ngrohtë, atë fjalë që
gjithmonë pëshpëritje nën zë dhe si
me magji gjithçka kthehej si më parë.
Këtë herë do të të merrja për dore,
krenare, do të të çoja përgjatë rrugës
dhe në atë karrige që ti e urreje,
por e lumtur ishe që të t’shihnin me mua.
Do të t’i prekja me një puthje rrudhat
e ballit, ndërsa ti udhëton në
kujtimet e tua me një buzëqeshje të mbuluar
nga një ngërç dhimbjeje./ KultPlus.com