8 Tetor, 2023 - 1:00 pm
Nga Bertolt Brecht
Po të vijë pushtuesi te ju, në qytet,
Ta bëni t’i duket që s’e ka pushtuar vërtet.
Askush ndër ju atij të mos i japë çelës,
Se ai s’vjen si mik, se ai vjen si shkelës.
Mos i nxirrni për të ngrënë dhe sofër mos i shtroni.
Karrige e shtrat për të të shkoni t’i copëtoni.
Atë çka s’digjni dot, ta fshihni ku mos duket.
Përmbysni çdo gotë qumësht, groposni çdo krodhë buke.
Ta bëni të klithë:Ndihmë! Ta quani:Barbar!
Ta bëni të hajë dhé, të rrojë përmbi zjarr.
Edhe sikur të lutet, as gjellë – as mëshirë.
Që s’ka qytet për të, ta marrë vesh fort mirë.
Ku sheh – të shohë hiç; ku hyn – të gjejë asgjë.
Ta dijë që në qytet bujtinë s’ka për të.
Përktheu nga gjermanishtja Petraq Kolevica / KultPlus.com