16 Shkurt, 2020 - 12:56 pm
Nga Mitrush Kuteli
Kënga e parë: Qëndrimi
Jam kosovar
pra jam shqiptar:
Zot e krenar,
– Zot e bujar
mbi këtë Dhe
q’e e kam si fe;
E kam Vatan!
e kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brezi,
që gjithëmon!
Ti shkja thërret,
ti shkja bërtet,-
gjer lart në retë;
se jam barbar.
Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti Mal i Zi.
Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
Isha zot vet!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!
Kënga e dytë: Durimi
Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që vogëli.
Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulë-bardh e krye-lidh,
krye-lidh me një shami,
me tri shami;
për trimëri!
Jam eshtër-madh,
i vrazhdë jam
e bojalli-
jam’ plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
-Si s’ka njeri-
Për drejtësi
e për Liri!
Si gjithë Asimët
e gjith Qerimët
e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që vogëli;
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
dhe gllavnikët.
ma vranë,
Se urdhër dha Vojvodi
e Krali- vetë;
Të vritet.
Se ishte Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba
nga Gjyshi
– rrënjë pas rrënje-
prej qindra vjet,
prej mijra vjet!
ma muarr. Ah!
ma muarr Vatanin
q’e desha si xhanin!
Ma muarr
me armë në duar,
– me gjak nëpër duar-
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok,
u bënë shokë;
si sorrat!
për kërmë!
Oborrin ma muarr
gjer në shtëpi
dhe ngrehnë për vete shtëpi
në sytë e mi!
Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot;
mbeta pa dhe,
– bujk pa dhe,
bari pa kope-
këtu,
në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
……………………………
Po shpresa s’m’u vyshk! Durova,
durova,-
Sa nuk duron njeri,
as perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i Kombit tim.
Më dhanë armë të vras
vëllanë
sipas kanunit
të gjakut…,
Po s’desha!
Dhe në e bëra,
ma falni;
Se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej!
Se vetëm andej
paska për ne
-Popull pa zot-
vend boll…
Po malli i Tokës s’më la,
po malli i Fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu,
i huaj,
– si qen!-
në vendin tim,
të Babës tim…
Mbeta raja,
ndënë raja
si për hata;
në uri
në qesëndi,
në skllavëri
të shkjaut të zi.
Më thanë të ik n’Allbani,
– Vatan i ri
i Kombit tim-
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava,
Dhe mbeta të jem,
ku jam
e ku do të jem!
Më thanë të shkoj në sheher
të shkjaut të madh
me sharrën më krah,
me kryet përdhe,
jaban
e beter;
portë më portë
derë më derë
i mjerë
e zemër- sterrë;
për një kotherrë
bukë,
Po malli i Vendit s’më la
e mbeta këtu,
raja
ndënë raja
të ha
një bukë- zeher
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres!
një tjatër mëngjes.
E dit për dit,
e net pas net,
e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjash;
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!
Po prita
dhe prita
të vijë dhe për mua
dita!
Tani,
tani,
Liri!
Kënga e tretë: Sulmi
Ta shemba shkjah kufinë
që ngrite ti
në Vendin tim
e përmbi varr
të Babës tim.
Ta shemba
ta dogja;
me zjarrin e shpirtit
të vojtjes
dhe të urrejtjes.
Me zemërim
me vrull të madh,
e bubullim
që s’ka mbarim.
Se vjete ti më çave
më ndave
më vrave!
armik- lugat!
armik- xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba,
Ti ngrite kufire me gjemba
fortesa ti ngrite;
t’i shemba!
Tani,
tani!
atje ku ti
o Mal i Zi!
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!
sot!
shkon,
e valon
parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t’u zhduk
si në ujë.
Ta shemba armik kufinë
-derë burgu-
dhe është tani
si ish!
-si do të jetë;-
përjetë;
Lëndinë!
Kënga e katërt: Ndërtimi
I bje arës mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të Babës tim,
të Birit tim;
sot e përpjet,
jetë pas jet!
Dhe ndje qysh flet
me zë të qet
im Atë vet
nga balta posht;
Të mbroni Dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam…
Të mbroni Dhenë
që e ushqe’
dhe sot si dje;
me kurmin tim…
Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot-
po kurrë lot!
as sot, as mot!….
Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!
Jam eshtër-madh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.
Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
më rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj….
Të pash të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot.
pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.
Kënga e pestë: Qëndrimi
Tani,
tani,
unë jam gati!
të vdes që sot-
se rroj përmot;
mbytyr me gjak
por jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!
Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e krej
kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!
Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëhu gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi;
për Liri!
Për Shqipëri!
Tani
tani!
-O Mal i Zi-
ja un,
ja ti!
Po un- jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri…
Un jam këtu kur Mal i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati-
Sa mban e gjitha Shqehëri,
Ish Iliri!
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!
Se jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën – fushë
e malin mal.
Un jam këtu
e do të jem
– dem baba dem-
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!
1943. / KultPlus.com