21 Mars, 2019 - 3:45 pm
Poezi e shkruar nga Agim Vinca
Mjellmë e pikëlluar në ujërat kristalore të liqenit
A rosak i shëmtuar i Hans Kristian Andersenit?
Trumcak i gjorë shkurresh a shqiponjë majë mali
Zgalem mes stuhish a bretkosë moçali?
Brenda një çasti vjen e shkon e shkon e vjen sërish
Në ferr e parajsë; në Parnas e Paris;
Në Tomorr e Korab; në Drin e në Bunë
“Veshunë me diell, mbathunë me hënë”.
Sa çel e mëshel sytë hyn e del në burg e në bordel
Zbret në horizontin e nëntë a ngjitesh në Kullën Eifel!
Bilbil parëverak me këngë e vaj në buzë
Qiellin ke jatak e liqenin – muzë.
Përherë i dashuruar marrëzisht gjer në pleqëri
Ishnje a s’ishnje, vallë, grua a shajni?
Azilkërkues plak në kantonin e shpresëkotës
A Arlekin i përlotur në cirkun e fundbotës?
Është i marrë poeti e i urtë në marrëzinë e vet
Nuk i bën ballë lotit, pret me dorë rrufetë!
1998