30 Gusht, 2022 - 1:36 pm
Nga Agim Vinca
(Për Lasgushin dhe qenin e tij)
Mesditë gushti. Verë. Vapë e zagushi…
Te café-bar Relax me veten time rri.
Rrufis kafenë ekspres e cigaren thith
Në ajrin e vakët një pulëbardhë klith.
Bën vapë, Lasgush, vapë e zagushi
Te café-bar Relax kuvendoj me ty…
Dhe ti si unë dikur andej matanë,
Veç kones sate – askënd pranë.
Më të flisje, me të qeshje e qaje…
Thonë se dhe shtratin me të e ndaje.
Përballë kam Eseninin, kaçurrelin bjond,
Që qenin e Kaçallovit e qau me lot…
Janë të marrë poetët dëgjon të thonë shpesh
E ndodh dhe t’i gërgasin ca laro e syleshë…
Po mua sakaq ndër mend një mendim më vjen:
«Më mirë një qen mik sesa një mik qen!»
Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.
Te café-bar Relax me veten time rri …
(Strugë, gusht 2015) / KultPlus.com