Poetit

19 Shkurt, 2025 - 3:15 pm

Kanga: lotët e syve t’i terë
atëherë kur malli, o vëlla, të përvëlon.
Kanga, o vëlla, të ngushëllon dhe atëherë
kur prej zemrës vneri të pikon!

Këndo edhe atëherë; kur
stuhia e kohës buzët e njoma
t’i plasaritë;
edhe atëherë kur flaka e barotit
qepallat bashkë me vetulla t’i përcëllon
Ti, vetëm këndo o bilbili i njerëzimit!

Edhe atëherë kur barra e jetës
mbi Ty, do të përplaset, Ti, mos
u krrus por çlirosi forcat tua.
Se koha të mëson me iu shmang barrës.
Ti, edhe atëherë këndo
se bashkë me kangë,
lindin plane të reja; të cilat
të udhëzojnë për kangën
e matejshme në jetë!

Hej, këndo edhe atëherë
kur të mungon liria; këndo
me flakë në gojë – se flaka
dhe baroti armikun e braktisin
planet ia kurthojnë!

O, këndo, këndo edhe në frymën e fundit.
E me një buzëqeshje të ambël
natyrën vështroje.
Se melodia e kangës sate, dikujt
do t’i kujtohet: dhe mallëngjyeshëm
për Ty, dikush ka me ofsha…

*Poezi e shkruar nga profesori i ndjerë, Musa Lajçi, babai i heroit, Besnik Lajçi.
Shkruar në vitin 1960./ KultPlus.com

Të ngjajshme