28 Qershor, 2021 - 8:29 pm
Poezinë “Of Nanë” Bekim Lumi e shkroi në vitin 1996 në Shqipëri.
Siç ka treguar ai: “Në një nga ato netët e mallit e të mërzisë, gjatë studimeve në Tiranë, kur, për shkak se Nanën nuk e kisha pa për disa vjet, dojsha me i kërkue falje për shumëçka të thanun e të pathanun”.
Of Nanë
Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si rr’fe prej qielle
Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova
Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si ilaç për nerva
Emnin tand ndër dhambë e kafshova
Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta
Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha
Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si barrën e druve përmi shpinë
Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova
Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si bojaxhi i keq që jam
Flok’t me gëlqere t’bardhë mërzie t’i ngjyrosa
Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si mbi jastëk andrrash
Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta
Of Nanë
Pashë Zotin
Pashë Ty
Pashë Babën
Pashë Mue
M’fal
Si mëkatar i keq që jam
Po t’lutem shumë
M’fal
Për dhembjet
Për sëmundjet
Për nervat
Për zjarminë
Për brengat
Për borxhet
Për mallin
Për mërzinë
Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme
M’fal
Njimijë herë m’fal
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë. /KultPlus.com